Artiola Alimadhi - 03/09/2004
Sigurimi i jetës, strategjia e Sicred
Gëzim Balisha, drejtor i përgjithshëm i shoqërisë së sigurimit të jetës Sicred, gjatë një interviste për Biznesin deklaron se çdo gjë është gati dhe pritet vetëm marrja e lejës përfundimtare nga Komisioni i Mbikëqyrjes së Sigurimeve (KMS) për të hyrë në tregun e sigurimit të jetës në Shqipëri
Intervistë me Gëzim Balisha, drejtori i përgjithshëm i Sicred, shoqëri e parë private e sigurimit të jetës që mori autorizimin nga KMS-ja për ushtrimin e aktivitetit në këtë fushë.
Kur do të hyjë realisht në treg shoqëria e sigurimit të jetës Sicred?
Gjithçka është gati dhe pritet vetëm marrja e përfundimtare e lejës për ushtrimin e aktivitetit nga Komisioni i Mbikëqyrjes së Sigurimeve (KMS). Ne kemi kompletuar produktet me të cilat do të dalim fillimisht në treg, kemi gati zyrat qendrore në Tiranë, kemi krijuar rrjetin e agjentëve në të gjithë rrethet e Shqipërisë dhe sa të marrim aprovimin e KMS-së për dhënien e lejës do të dalim në treg me produktet tona.
Çfarë produktesh do të ofrojë Sicred?
Fillimisht do të hyjmë me produktet bazë të sigurimit të jetës, ndërkohë që më vonë do t'a zgjerojmë gamën e tyre. Do të jemi të kujdesshëm me produktet tona pasi risku në fushën e sigurimit të jetës është i lartë.
Ne do të synojmë më tepër policat kolektive të sigurimit, që nënkupton sigurimin e një grupi personash (për shembull punëtorët e një ndërmarrjeje, banorët e një pallati etj.), natyrisht pa përjashtuar sigurimin e jetës së individit.
Sigurimi i jetës është shumë pak i zhvilluar në Shqipëri. A mendoni se do t'a ndryshoni këtë situatë?
Është e vërtetë që sigurimi i jetës është shumë pak i zhvilluar në Shqipëri. Në radhë të parë duhet të sensibilizohen individët në lidhje me rëndësinë e këtij sektori. Për shembull, një individ që sëmuret nga një sëmundje e rëndë duhet të bëjë shpenzime të mëdha, madje mund të hyjë edhe në borxhe për t'u kuruar. Nëse ai që më parë do të ishte i siguruar te një shoqëri sigurimesh jete, të gjitha shpenzimet do të mbuloheshin nga kjo e fundit duke mundësuar rikthimin në gjendjen normale, nëse kjo është e mundur, krijimin e kushteve të përshtatshme nëse për shembull ngelet invalid apo në rastin më ekstrem marrjen e një përfitimi nga trashëgimtarët në rastin e vdekjes së personit.
Megjithatë, këto vite në Shqipëri kanë ndodhur raste të shumta, si shembull aksidenti me minatorët e Selenicës, rënia e skelës së hotel Tirana, zjarret në karburante dhe pallate etj. të cilat kanë bërë që individët të ndërgjegjësohen se risku ekziston kudo. Individët janë vazhdimisht të rrezikuar nga ngjarje të papritura të cilat mund të dëmtojnë jetën apo shëndetin e tyre. Duke sensibilizuar më tej opinionin dhe duke ofruar cilësi në shërbime ne do të kemi sukses në treg.
Në fakt si do ta arrini këtë sukses?
Ne do të mundohemi që në policat tona përfitimi të jetë i prekshëm. Në një gjuhë më të thjeshtë, kjo do të thotë se pavarësisht faktit se shtylla kryesore e një shoqërie sigurimi jete është përfitimi pas vdekjes së individit, Sicred do të ofrojë produkte të tilla që ai të përfitojë gjatë kohës që jeton.
Cilët janë aksionerët e Sicred?
Gjetja e aksionerëve të duhur ka kërkuar shumë punë. Kjo për faktin se shoqëritë e sigurimit të jetës arrijnë të sigurojnë fitim pas 2 apo 3 vitesh. Si rrjedhim, duheshin investitorë me biznese të konsoliduara në mënyrë që fondi i dhënë prej tyre të quhej i ngurtësuar gjatë gjithë kësaj periudhe.
Në total janë 10 aksionerë secili me 8 deri 10 për qind të aksioneve të shoqërisë. Gati 80 për qind e aksionerëve të Sicred janë njëkohësisht aksionerë në një bankë dhe kjo është domosdoshmëri e shoqërive të sigurimit të jetës. Disa prej tyre janë aksionerë dhe njëkohësisht drejtues të Bankës Credins. Nëpërmjet bashkëpunimit me këtë bankë si dhe me të tjerat, ne do të bëjmë që të gjitha veprimet t'i realizojmë nëpërmjet sistemit bankar.
|