BLOG

SiCRED

Sigurimi i jetës, kursim apo shpenzim?

Publikuar më: 26.06.2020

“Nëse shtoni pak nga pak, por do ta bëni shpesh, së shpejti pak do të bëhet shumë”, është Hesiodi, poeti më i vjetër grek, i cili fliste për kursimet në këtë mënyrë. Njeriu gjithmonë e ka pasur nevojën të ndihet i qetë për të ardhmen dhe të përballojë paparashikueshmërinë e jetës, duke vënë një shumë parash mënjanë. Andaj kursimi ka pasur përherë një rëndësi të veçantë në zërat e financave personale.

Ekzistojnë forma të ndryshme të kursimit dhe një ndër to është edhe sigurimi i jetës, shëndetit dhe aksidenteve. Shumë do të çuditen, sepse, si blerës, e shohim pagesën e primeve si një shpenzim pa rikthim tek individi, duke menduar ndërkaq se këto produkte nuk do të na duhen. Madje, duke qenë të ndjeshëm ndaj shpenzimeve, qoftë kur këto shpenzime dalin nga xhepi jonë apo nga kompania ku jemi punësuar, priremi të shohim vetëm drejt çmimit më të ulët, duke anashkaluar shpesh vlerën e tyre.

Jeta ka gjithmonë të papritura, pasiguri, ndaj dhe aftësia për të kursyer është një element që rrit sigurinë tonë për të ardhmen. Kur zgjedhim të shohim sigurimin e jetës si një mjet kursimi në duart tona dhe jo si një shpenzim, sigurimi kthehet një pikë kyçe në buxhetin familjar. Si në çdo investim që bëjmë, çmimi ka rëndësinë e tij, por edhe vlera që mbart është po aq e rëndësishme. Të mos harrojmë që sigurimi i jetës në fakt është një premtim, një premtim për të paguar e për të qenë një mbështetje për ne dhe familjet tona në çdo moment të ndodhjes së ngjarjes së siguruar, tani apo në të ardhmen. Më poshtë do të shohim disa nga arsyet se pse një sigurim jete është një pjesë e rëndësishme e çdo plani financiar.

Siguria financiare – Sigurimi i jetës mundëson qetësinë shpirtërore dhe mendore, kjo sepse nëse dikush do të kishte ngjarje të papritura shëndetësore, familja dhe njerëzit e dashur do të kishin në duart e tyre një mjet të sigurisë financiare. Të gjithë ne kemi detyrime financiare, por një mbulim i përshtatshëm i sigurimit të jetës jep sigurinë që të dashurit tanë dhe detyrimet tona bankare do të kenë kujdesin e duhur financiar në rast të ndarjes sonë të parakohshme nga jeta.

Për të paraprirë çdo ngjarje të mundshme që prek jetët tona, duke filluar nga sëmundjet, paaftësitë e përhershme fizike apo dhe humbjen e jetës, llojet e ndryshme të sigurimit të jetës, shëndetit dhe aksidenteve shfaqen si një ndër zgjidhjet optimale. Nëse do të merrni një kredi, sigurimi i jetës do të lehtësonte familjen, fëmijët, të afërmit tuaj nga detyrimet që mund t’u ngarkohen në rast të humbjes së parakohshme të jetës suaj, për shkaqe sëmundjeje apo aksidentale.

Një sëmundje e papritur apo një rast aksidenti, jo vetëm do t’ju detyronte të ndërpritnit aktivitetin tuaj ekonomik, burimin e të ardhurave të familjes suaj, por mund edhe t’ju kushtonte tërë kursimet tuaja ndër vite. Një risk të tillë e shmang sigurimi i jetës, i kombinuar me shëndetin dhe aksidentet. Në këtë mënyrë sigurimi i jetës nuk shërben vetëm si mjet për arritjen e qetësisë mendore për të ardhmen, por edhe si garanci për një stabilitet ekonomik.

Mundësi investimi – Disa forma të sigurimit të jetës ofrojnë mundësinë për të investuar, pra përveç sigurimit të jetës, një pjesë e primit shkon në forma të ndryshme investimesh, të cilat ofrojnë kthime të frytshme. Me përfundimin e afatit të maturimit, do të keni vënë mënjanë mjaftueshëm para për të përmbushur disa nga qëllimet tuaja afatgjata, si edukimin e duhur të fëmijëve tuaj, një arredim të ri të shtëpisë, blerjen e një makine të re, të ardhura shtesë në kohën e pensionit etj.

Sigurimi në moshë të re, kursimi më i lartë – planet e sigurimit të jetës ju japin mundësinë për prime më të ulëta ndërsa jeni të rinj. Nëse blini të njëjtën policë në një moshë më të madhe, do të paguani një prim shumë më të lartë krahasuar me të njëjtin plan për një moshë më të re. Ndaj rekomandohet që sigurimi i jetës të nisë që herët.

Në këtë vështrim të shkurtër mbi sigurimin e jetës, përfundojmë se:

  1. Sigurimi i jetës është një mbështetje për sigurinë financiare të familjes, në rastet kur kryefamiljari është kredimarrës, apo kur ai ka peshën më të madhe të të ardhurave në familje;
  2. Sigurimi i jetës mbulon shpenzimet për trajtimet shëndetësore/aksidentale, të cilat, në mungesë të sigurimit, do të thithnin një pjesë të mirë të kursimeve të familjes ndër vite;
  3. Sigurimi i jetës është një alternativë investimi dhe mjet për të arritur qëllimet afatgjata;
  4. Sigurimi i jetës duhet të nisë që në moshë të re, sepse sa më herët, aq më i lirë, aq më i lartë kursimi.

Një shprehje thotë: Sigurimi më i shtrenjtë, është ai që e blini atëherë kur ju keni më tepër nevojë! Të mendojmë për sigurimin e jetës si kursim dhe jo si shpenzim, na ndihmon të ndryshojmë përqasjen tonë ndaj këtyre produkteve dhe na ndihmon të bëjmë zgjedhje të mençura.