“Bli Shqip” – Në mbështetje të prodhimit vendas

Nuk ka një moment më të përshtatshëm sesa tani, ku ekonomia shqiptare është e brishtë dhe e cenueshme, për të mbështetur prodhimin dhe prodhuesit vendas.

Nën sloganin “Bli Shqip”, këtë fundvit, SiCRED promovon dhe jep mbështetjen, aq të nevojshme, ndaj tregut shqiptar. Për klientët e saj besnikë dhe bashkëpunëtorët, SiCRED ka përgatitur shporta dhuratë vetëm me produkte “Made in Albania”, një ndihmë e shtuar për prodhuesin në kushtet e pandemisë.

Në një vizitë të shkurtër pranë Kantinës Kallmeti, mundëm të vizitonim ambientet bashkëkohore të punës dhe të shijonim verën e varietetit autokton, kallmet, të krahinës Kallmet të Lezhës. Një trinom që përbën një veçori të prodhimit të verës në atë zonë.

Ndërkohë që kantina e mbulon një pjesë të nevojave për prodhim me burimet e vreshtave të saj, bashkëpunimi me fermerët e zonës është ai që plotëson pjesën dërrmuese të të vjelave. Kjo formë bashkëpunimi përcjell një frymë mjaft pozitive dhe vihet re që, vitet e fundit, ka nisur të aplikohet prej shumë bizneseve të agroturizmit. Është një qasje që ndihmon prodhuesit vendas në mënyrë zinxhir, mbi të gjitha ata fermerë të vegjël që kanë nevojë për mbështetje.