b

Category: BLOG

Çfarë është Sigurimi i Jetës?

Çfarë është Sigurimi i Jetës?

Nga: Gladiola Jani
Datë: 11.06.2020
Sigurimi i jetës është një kontratë ndërmjet një të siguruari dhe siguruesit, në të cilën siguruesi, në këmbim të primit të sigurimit, premton që do të paguajë një shumë të caktuar parash me vdekjen e individit të siguruar. Historia e sigurimit të jetës daton që në kohën e Perandorisë Romake, ku sigurimi i parë i jetës, që dokumentohet, është sigurimi i shpenzimeve funerale. Në kohët moderne, sigurimi i jetës ashtu siç ne e njohim sot, ka filluar rreth viteve 1700 në Londër.

Sigurimi i jetës është i lidhur ngushtësisht me konceptin e vdekjes së parakohshme. Vdekja e parakohshme, në këndvështrimin e sigurimit, nënkupton ndarjen nga jeta të një kryefamiljari, pa përmbushur ende detyrimet e tij financiare, si rritja dhe edukimi i fëmijëve, kujdesi për persona të tjerë nën varësi, shlyerja e një kredie afatgjatë etj. Kur një kryefamiljar ndahet nga jeta, familja e tij privohet përgjithmonë nga të ardhurat që ai do të vijonte të siguronte për të, përmes punës dhe aktivitetit të tij. Nëse të ardhurat e tjera që mund të sigurojë familja pas humbjes së tij, apo kursimet e grumbulluara, nuk janë të mjaftueshme, atëherë familja do të përballet me një pasiguri dhe risk të madh. Vdekja e parakohshme, përtej kostove financiare, sigurisht që për familjen nënkupton një krizë emocionale në rrethanat e një situate të vështirë të humbjes së një personi të dashur.

Sigurimi i jetës justifikohet nga pikëpamja ekonomike atëherë kur i siguruari është një person ekonomikisht aktiv, që siguron të ardhura me punën e tij, nga e cila varet ekonomikisht familja e tij, apo në rast kur i siguruari është një person kyç në një aktivitetet ekonomik, si në rastin e bizneseve të vogla apo të mesme, fati i të cilave është i lidhur ngushtësisht me themeluesin e tyre. Sigurimi i jetës bën të mundur që, kur kontribuuesi i të ardhurave ndahet në mënyrë të parakohshme nga jeta, pjesa që ai do të kontribuonte, të financohet në vijim nga sigurimi i jetës. Këtu qëndron vlera dhe rëndësia e sigurimit të jetës.

Struktura e familjeve të sotme ka ndryshuar ndjeshëm. Në familjet tradicionale, bashkëshorti ishte kontribuuesi kryesor financiar dhe ishte e zakonshme që bashkëshortja të kujdesej për shtëpinë dhe rritjen e fëmijëve, duke qenë një kontribuuese e heshtur. Në kohët e sotme, e zakonshme është që të dy bashkëshortët të jenë të punësuar jashtë shtëpisë apo të kenë një aktivitet të përbashkët, duke sjellë bashkërisht të ardhura për familjen. Po ashtu, numri i divorceve është rritur ndjeshëm, duke bërë që shumë prindër të rritin të vetëm fëmijën apo fëmijët e tyre. Në të dy këto format e fundit të familjes, nevoja për sigurim jete është e ndjeshme, pasi ndarja e parakohshme nga jeta e prindërve, vë në rrezik serioz gjendjen ekonomike dhe sociale të pasardhësve.

Sigurimi i jetës, duke qenë i lidhur ngushtësisht me riskun e ndërprerjes së kontributit ekonomik që jep i siguruari, është i lidhur gjithashtu dhe me riskun e aksidenteve apo riskun e sëmundjeve, edhe kur këto risqe nuk shkaktojnë menjëherë vdekjen e individit. Në ditët e sotme, ofrohen polica sigurimi jete të kombinuara me risqet shtesë për mbulim paaftësish në rast aksidentesh apo shfaqjen e sëmundjeve kritike, duke mbetur i pandryshuar thelbi i policës së sigurimit: të ruajë stabilitetin financiar të personave që varen ekonomikisht nga individi i siguruar, në rast se ky i fundit humbet aftësinë e tij për të kontribuar ekonomikisht.

Të dhënat demografike tregojnë për një përmirësim të jetëgjatësisë dhe ulje të mortalitetit (vdekshmërisë) së individëve, si rrjedhojë e avancimeve në fushën e mjekësisë, përmirësimit të sistemit shëndetësor dhe kushteve higjeno-sanitare, rritjes së nivelit të të ardhurave dhe rritjes ekonomike. Rritja e jetëgjatësisë vërehet kryesisht për grupmoshën +65 vjeç. E ndërkaq vihet re një përkeqësim i mortalitetit në grupmoshën 35-45 vjeç, kryesisht te meshkujt. Sipas studimeve, ky përkeqësim lidhet me sëmundjet si: problemet kardiovaskulare, respiratore, sëmundjet tumorale, të cilat ndikohen ndjeshëm edhe nga stili i jetës së individit etj.

Sigurimi i jetës është mbështetës dhe promotor i një jete të shëndetshme. Këtë e shohim te mënyra e llogaritjes së riskut dhe efektivisht dhe te primi i sigurimit, çmimi që paguan i siguruari. Duke vlerësuar faktorë të tillë si pesha, konsumi i duhanit, alkoolit etj., sigurimi i jetës “shpërblen” individët që kanë një stil jete më të shëndetshëm, duke iu akorduar atyre një prim sigurimi më të ulët sesa individëve të tjerë.

Një menaxhim i mirë i shëndetit do të thotë që individët jo vetëm të kenë një stil jete të shëndetshëm, por gjithashtu nënkupton marrjen e masave të duhura për identifikimin e hershëm të problemeve shëndetësore. Identifikimi i hershëm dhe monitorimi i gjendjeve shëndetësore, përkthehen në shtyrje sa më larg në kohë të efekteve negative të sëmundjeve, apo edhe parandalimin e ndodhjes së tyre. Në këtë mënyrë shpëtohen jete, si dhe kursehen shuma të konsiderueshme monetare për trajtime dhe kujdes spitalor. Ndaj e shohim shumë mirë të kryqëzuar sigurimin e jetës me sigurimin e shëndetit, si në rastin e policës së sigurimit “Jetë dhe Shëndet CASH PLAN”, ku individi përveçse ka një mbulim për sigurimin e jetës, ka dhe një plan të sigurimit të shëndetit privat, i cili e ndihmon të mbajë nën kontrollon shëndetin e tij përgjatë periudhës së sigurimit.

Sigurimi i jetës është një marrëdhënie afatgjate dhe mbulon pjesën më të madhe të jetës ekonomikisht aktive të një individi. Në pak fjalë, se ÇFARË ËSHTË Sigurimi i jetës mund të përmblidhet me atë se ÇFARË BËN ai:

  • Ofron Kujdes: për pasardhësit dhe personat e familjes, që varen ekonomikisht, si dhe kujdes për vetveten.
  • Ofron Mbrojtje: të kursimeve familjare në rast të ndarjes së parakohshme nga jeta.
  • Ofron Kursim: Polica të ndryshme sigurimi jete, si “Sigurimi i Jetës me Kursim” apo “Sigurimi i Jetës me Mbijetesë”, ofrojnë përfitim në rast humbje jete, të kombinuar me plan kursimi periodik.
  • Ofron Investim: Policat e sigurimit te jetës me plane kursimi apo investimi, përveçse ndihmojnë të siguruarin të disiplinohet ne kursim, me qëllim që ai të përmbushë objektivat e tij financiar, janë dhe alternativë investimi, përveç mundësive të tjera që ofrohen në tregun e investimit, si depozitat e kursimit, titujt qeveritarë, fondet e pensionit, fondet e investimit, etj.

E parë si një industri e tërë, sigurimi i jetës është një stabilizator ekonomik, i cili sheshon krizat financiare të shumë e shumë familjeve dhe bizneseve të vogla, që në mungesë të kësaj industrie, rriskohen deri në varfëri, duke rritur barrën sociale dhe ekonomike të një vendi.

Nga ana tjetër, në një ambient ku individët janë më të qetë dhe më pak të frikësuar nga pasiguritë e të nesërmes, krijohen kushtet ideale që këta individë të shfaqin të gjithë potencialin e tyre, duke jetuar dhe punuar më të sigurt.

Burimi i informacionit:

Related Posts

Dhurata e duhur për stafin tuaj

Dhurata e duhur për stafin tuaj

Dhurata e duhur për stafin tuajPunoi: Greta SejdinajPublikuar më: 03.01.2024   Gjëja e parë që duhet të bëni këtë fillimvit? Të surprizoni...