BLOG

SiCRED

Një histori e shkurtër mbi sigurimet

Publikuar më 18.05.2020

Sigurimi në thelb të tij nuk është gjë tjetër veçse shmangia e rrezikut. Sigurimi konsiderohet si transferimi i riskut nga një entitet në tjetrin në këmbim të pagesës. Një sigurues, ose një bartës i sigurimit, është kompania që shet sigurimin. I siguruari, i njohur gjithashtu dhe si mbajtësi i policës, është individi ose entiteti që blen policën.

Mbrojtja e vetes ndaj rreziqeve ka qenë një nga nevojat më të lashta dhe parësore. Dëshmi e kësaj janë format e para dhe më të vjetra të sigurimit, të cilat datojnë në kohët e lashta: në Indi dhe në Babiloni, në Greqi, por edhe në Egjipt. Një nga metodat e para të dokumentuara të kufizimit të humbjeve është shënuar në Kodin e Hammurabit, i shkruar rreth 1750 vjet p.e.s. Sipas kësaj metode, një tregtar që merr një kredi do t’i paguante huamarrësit një shumë shtesë parash në këmbim të një garancie se kredia do të anulohej nëse dërgesa do të ishte vjedhur. Në vitin 1000 p.e.s., punëtorët që ndërtonin tempujt nën urdhrin e mbretit Salomon në Jerusalem, ju përqasën një mënyre kompensimi për aksidentet që ndodhnin në kantiere.

Pamje nga Kodi i Hammurabit

Në vitin 100 p.e.s., në Romë, disa legjionarë krijuan një shoqëri më qëllim ngritjen e një kapitali në rast të humbjes së jetës. Këto shoqëri antike, ishin në thelb shoqëri të personave të varfër, ku fondi i tyre, një kuotë fikse mujore, do të shërbente për të mbuluar një ceremoni mortore të denjë për pjesëtarët e shoqërisë. Kjo praktikë është e njohur si një nga format më të hershme të sigurimit të jetës në historinë e njerëzimit!

Ndër aktivitetet, që stimuluan më tepër nevojën e mjeteve për t’u mbrojtur nga e papritura, ishte lundrimi detar. Ishte “dhuna” e detit që ngjalli kërkesën për sigurime, kjo është dhe arsyeja pse kompanitë e para u ngritën në qytetet bregdetare dhe të përshkuara nga lumenj, si në Firence apo Xhenova. Kështu, biznesmenët fiorentinë ishin të parët që menduan në mënyrë strategjike për të mos e ndarë sigurimin nga tregtia, financa dhe bankat.

Xhenova në vitin 1572

Më 1762, në Angli lindi sigurimi i jetës së individit, me publikimin e tabelave të para të mortalitetit, që asokohe e vlerësonin jetëgjatësinë mesatarisht deri në 33 vjeç. Sigurimet e jetës u dekretuan më pas nga mbreti i Anglisë, Xhorxhi III, duke gjetur kështu një legjitimitet të rëndësishëm institucional. Në shekullin pasardhës ky lloj sigurimi u përhap në gjithë Europën, duke krijuar kështu panoramën moderne të tregut të sigurimeve. Në të njëjtën periudhë lindën kompanitë e para të sigurimit në Shtetet e Bashkuara, ku figura qendrore për zhvillimin e sistemit është ajo e Benjamin Franklin, shkencëtari dhe politikani i njohur, që shfrytëzoi influencën e tij për të përhapur praktikën e sigurimit ndaj risqeve, të lidhura kryesisht me zjarret. Me kalimin e shekullit, kjo praktikë sigurimi u përhap akoma edhe më tepër në shtresa të ndryshme të popullsisë: pra kjo panoramë e sigurimeve u zgjerua, me një ofertë më tepër të artikuluar e komplekse.

Lufta e Parë Botërore uli dukshëm sigurimin e jetës dhe krijoi probleme të mëdha në sigurimin detar. Ishte e domosdoshme ndërhyrja e shtetit për të marrë përsipër riskun që kishte shkaktuar lufta për anijet dhe mallrat. Në vitet e mëvonshme tregu i sigurimeve realizoi progres konstant dhe një transformim të rëndësishëm si pasojë e zhvillimit social, dhe numri i kompanive vijoi të rritej.

Me kalimin e viteve sektori i sigurimeve u mirë-pozicionua dhe u zhvilluar në disa drejtime të tjera, duke u bërë i besueshëm për publikun, dhe mori rol të rëndësishëm ndër sektorët ekonomikë.

Praktika e sigurimeve në Shqipëri ka filluar më vonë, krahasuar me vendet e tjera të zhvilluara. Gjejmë gjurmë të sigurimeve, të cilat i përkasin periudhës përpara Luftës së Dytë Botërore, ku shoqëritë e huaja, kryesisht italiane, si Assicurazioni Generali, Riunione Adriatica di Sicurtá, Fiume etj., ushtronin aktivitetin e tyre sigurues kryesisht në fushën e jetës dhe shëndetit (sëmundjet), aktiviteteve të transportit, sigurimit të fatkeqësive natyrore etj. Në periudhën pas Luftës së II Botërore, aktiviteti i sigurimeve rregullohej nga Instituti i Arkave të Kursimit dhe të Sigurimit. Disa nga format e sigurimit të kësaj periudhe ishin: sigurimi i ndërtesave, mallrave, materialeve dhe prodhimeve bujqësore nga zjarri, rrufeja, tërmeti, përmbytjet, breshëri, rrëshqitja e dheut etj.; sigurimi i automjeteve dhe makinerive; sigurimi i pasurisë (banesës, sendeve shtëpiake); sigurimi vullnetar i jetës nga fatkeqësitë etj.

Pagesë kësti për primin e sigurimit të jetës, të shoqërisë Riunione Adriatica di Sicurtá, e vitit 1928

Në vitin 1991, pas decentralizimit të ekonomisë, krijohet Instituti i Sigurimeve, si institucioni i vetëm shtetëror që ushtron veprimtarinë e sigurimeve dhe risigurimeve në Republikën e Shqipërisë. Në fillim të viteve 2000’ nis liberalizimi i tregut të sigurimeve në Shqipëri, dhe në vitin 2003, themelohet shoqëria e parë private e sigurimit të jetës, me kapital 100% vendas, SiCRED sh.a., me fokus të qartë për të vepruar posaçërisht në fushën e sigurimit të jetës.