b

Category: BLOG

Si të zgjidhni sigurimin e duhur për ju?

Si të zgjidhni sigurimin e duhur për ju?

Nga: Evelina Koçi dhe Greta Sejdinaj
Publikuar: 14.10.2020
Sigurimi i shëndetit është sigurimi që ju mbron në rast të shfaqjes së problemeve shëndetësore, të cilat i trajtoni duke ju drejtuar kujdesit shëndetësor privat. Jo shumë e zakonshme deri para disa dekadave më parë, por tanimë gjithnjë e më shumë njerëz e preferojnë këtë alternativë, kryesisht për shkak të mangësive në shëndetin publik.

Sigurimi i jetës me elementë kursimi/investimi mund të jetë një pjesë e rëndësishme e strategjisë suaj financiare dhe një mjet sigurie për të dashurit tuaj.

Sigurimi nga aksidentet ju ndihmon në rast të shkëputjes nga puna për shkak paaftësie, për të zëvendësuar të ardhurat e humbura.

Zgjedhja për të blerë sigurimin e jetës (qoftë ky i shoqëruar me sigurimin e shëndetit, aksidenteve apo me elementët e kursimit/investimit) është një vendim i madh dhe është e rëndësishme të zgjidhni një policë që i përshtatet nevojave tuaja dhe të familjes.

Llojet e produkteve të sigurimit në treg janë të shumtë, aq sa të orientohesh dhe të zgjedhësh të duhurin nuk është dhe aq e thjeshtë pa ndihmën e ekspertëve të fushës. Për këtë, do ju ndihmojmë me disa këshilla të dobishme, që mund t’ju orientojnë të ngushtoni opsionet dhe t’ju drejtojnë drejt zgjedhjes më të mirë të sigurimit të jetës.

1. Njihni tipologjitë e policave të sigurimit të kombinuara me sigurimin e jetës

Gjëja e parë që duhet të dini është se ekzistojnë lloje të ndryshme të policave të sigurimit të kombinuara me sigurimin e jetës, secila e përshtatshme për të mbuluar nevoja të caktuara në momente të caktuara gjatë jetës:

  • Sigurimi i jetës dhe shëndetit është një produkt, i cili veç jetës, ju mbulon edhe në rast të shfaqjes së një sëmundjeje. Mbulon shpenzimet mjekësore për trajtimin e sëmundjes, si: testet diagnostikuese, ndërhyrjet kirurgjikale, vizitat mjekësore, medikamentet etj.
  • Sigurimi i jetës dhe aksidenteve, veç sigurimit të jetës, mbulon shpenzimet që lidhen me trajtimin e dëmtimeve në rast aksidenti dhe ofron një shumë përfitimi për paaftësi.
  • Sigurimi i jetës dhe shëndetit në udhëtim është një produkt sigurimi i cili ju nevojitet vetëm në rast udhëtimi jashtë vendit. Mbulon trajtimin e sëmundjeve të papritura, që shfaqen gjatë kohës së qëndrimit jashtë vendit; trajtimin e dëmtimeve nga aksidentet; ofron dëmshpërblim në rast të humbjes së jetës etj.
  • Sigurimi i jetës me elementë kursimi është një produkt, i cili kombinon sigurimin e jetës (përfitimin e dëmshpërblimit në rast të humbjes së jetës) me investimin financiar. Kjo formë sigurimi ndihmon të siguruarin të investojë në mënyrë periodike, duke pasur qetësinë e sigurisë financiare për familjen e tij.
2. Konsideroni punën dhe stilin tuaj të jetës

Nisur nga informacioni i marrë nga pika e parë, kuptohet që zgjedhja e policës së duhur të sigurimit ka të bëjë shumë me punën, zakonet dhe stilin tuaj të jetës. Një policë e një natyre më “klasike”, do të jetë pak a shumë e përshtatshme për të gjithë, përveç rasteve ku nevojat janë më specifike.

Për shembull, nëse shqetësoheni nga ndodhja e një aksidenti, për arsye të punës që kryeni, ose thjesht sepse kaloni shumë kohë duke udhëtuar me makinë, polica e sigurimit nga aksidentet mund të jetë e përshtatshme për ju. Apo në rast se jeni një sportist mund të siguroheni me një policë të veçantë sigurimi për sportistë, e cila i përshtatet nevojave specifike të kësaj fushe.

3. Zgjidhni një policë të përshtatshme për moshën tuaj

Kompanitë e sigurimit vendosin shpesh limite moshe për lidhjen e kontratave të sigurimit. Nëse jeni më tepër se 55 vjeç duhet verifikuar me kujdes mosha maksimale e parashikuar në sigurimin që keni përzgjedhur. Inkurajohet në çdo rast sigurimi i hershëm.

4. Nuk duhet harruar se një policë sigurimi nuk mbulon gjithçka

Nuk duhet harruar se edhe polica e sigurimit me mbulim më të gjerë nuk do të mbulojë të gjitha shpenzimet tuaja të lidhura me shëndetin. Në përgjithësi policat nuk përfshijnë:

  • Shpenzimet për trajtimin e problemeve shëndetësore paraekzistuese nga momenti i lidhjes së kontratës.
  • Problemet e shkaktuara nga abuzimi me alkoolin, drogën apo edhe në rast aksidentesh të shkaktuara nga efektet e këtyre substancave.
  • Shpenzimet dentare dhe optike, përveç kur përcaktohet ndryshe.
  • Shpenzimet për ndërhyrjet estetike.
  • Shpenzimet për dieta dhe këshillime ushqyese.
  • Shpenzimet për lindjen e fëmijës.
  • Kontraceptivët dhe abortet vullnetare.
5. Primi i sigurimit është variabël dhe varet nga disa faktorë

Primi i një police sigurimi mund të variojë shumë, sepse llogaritet nisur nga disa faktorë, që kanë të bëjnë me moshën, stilin e jetës, punën, statusin shëndetësor etj.

6. Flisni me mjekun tuaj para lidhjes së kontratës së sigurimit

Në momentin e lidhjes së një kontrate sigurimi, duhet të jepni shumë informacione lidhur me statusin tuaj shëndetësor. Është e rëndësishme që të jeni të sinqertë dhe të saktë me të dhënat e raportuara, sepse nëse jepni informacione të pasakta, atëherë kompania e sigurimit rezervon të drejtën të përfundojë policën tuaj përpara afatit apo të mos mbulojë dëmshpërblimin e pretenduar.

7. Një faktor i rëndësishëm është dhe asistenca

Shërbimi i asistencës, që ofron shoqëria juaj e sigurimit, duhet të jetë efikas dhe gjithmonë i arritshëm, për t’ju dhënë qetësinë që ju nevojitet dhe për të ndërhyrë menjëherë në situata emergjente. Sigurohuni që shërbimi i ofruar nga kompania juaj të jetë në varësi të nevojave tuaja dhe të di se si t’ju udhëheqë në momentet më delikate.

Gjithsesi, nëse keni pyetje, një agjent i sigurimeve mund t’ju ndihmojë të zgjidhni një policë sigurimi të jetës që është e përshtatshme për nevojat tuaja.

Burimi i informacionit:

Related Posts

Dhurata e duhur për stafin tuaj

Dhurata e duhur për stafin tuaj

Dhurata e duhur për stafin tuajPunoi: Greta SejdinajPublikuar më: 03.01.2024   Gjëja e parë që duhet të bëni këtë fillimvit? Të surprizoni...