b

Category: BLOG

Sigurimi i “Jetës me Mbijetesë”: Për një të ardhme të sigurt e trashëgimi të vlefshme

Sigurimi i “Jetës me Mbijetesë”: Për një të ardhme të sigurt e trashëgimi të vlefshme.

Punoi: Frenki Xhamxhiu
Publikuar më 09.11.2023

 

Ngjarjet e jetës sonë lëvizin me shpejtësi dhe shpesh ato ndodhin në mënyrë të paparashikueshme. Ne duhet të sigurohemi që familja jonë të jetë e sigurt dhe të marrë të gjithë mbështetjen financiare që i nevojitet, prandaj kursimi afatgjatë është mënyra e duhur për një të ardhme të sigurt. Përveç kësaj, çdo ditë përballemi dhe me ngjarje e rreziqe të tjera, si sëmundje apo aksidente, të cilat rrezikojnë seriozisht të ardhmen tonë dhe atë të të afërmve tanë.

Sipas të dhënave të Bankës së Shqipërisë, depozitat mbeten instrumenti kryesor i kursimit të shqiptarëve, me mbi 90% të kursimeve totale. Depozitat janë instrumente kursimi me nivel të ulët risku, por ato kanë horizont kursimi afatshkurtër, duke qenë se afati maksimal i depozitave është deri në 5 vjet. Me gjithë popullaritetin që ato kanë në Shqipëri, depozitat nuk janë instrumenti tipik që ndihmon individin të kursejë rregullisht dhe periodikisht në afatgjatë. Ndaj skemat afatgjata të kursimit e investimit me pagesa të rregullta periodike, mbeten zgjidhja më e mirë për masën e individëve të cilët jetojnë me të ardhura periodike.

Një problem shqetësues për ekonominë shqiptare, por edhe me gjerë, mbetet financimi i pensionit. Sipas të dhënave nga Banka Botërore, në artikullin e publikuar në Gusht të vitit 2022 me titull “Fondet e Pensionit dhe të Sigurimeve”, tregohet se deri në vitin 2050 popullsia globale për moshën mbi 65 vjeç do të dyfishohet nga 10% në 20%. Gati 1.3 miliardë njerëz – 80% e të moshuarve – do të jetojnë në vendet me të ardhura të ulëta. Megjithatë, vetëm rreth 1/3 e popullsisë në këto vende ka të ardhura nga pensioni. Sistemet e pensioneve sigurojnë të ardhura në rast të pleqërisë, paaftësisë dhe vdekjes së parakohshme të përfituesve kryesorë. Përveç kësaj, kontribuojnë edhe në promovimin e kursimeve afatgjata, të cilat, nga ana tjetër, stimulojnë rritjen ekonomike. Në vendin tonë po ofrohen lehtësira tatimore sa i takon Pensioneve Private, pasi bazuar në ligjin e ri, përjashtohet nga tatimi pjesa e kontributit dhe tatohen vetëm të ardhurat nga investimi i kontributeve.

Përveç skemën së pensionit të detyruar dhe skemave të Pensionit Privat, çdo formë tjetër investimi afatgjatë, që maturohet apo ofron përfitime në prag të moshës së pensionit, është një zgjidhje alternative për çdo individ për financimin e pensionit të tij. Një alternativë e tillë është Sigurimi i “Jetës me Mbijetesë” i ofruar nga SiCRED. Skemat e kursimit afatgjatë, si Sigurimi i “Jetës me Mbijetesë”, mund të blihen privatisht nga çdo individ, por ato mund të ngrihen dhe në bashkëpunim me punëdhënësin. Ndryshe nga format e tjera të investimit, si depozita apo fondet e investimit, ku kontributet derdhen nga të ardhurat neto, për kompanitë, që duan të sigurojnë punonjësit e tyre, Sigurimi “Jeta me Mbijetesë” është një opsion mjaft i mirë si për punonjësit ashtu dhe për punëdhënësin, duke qenë se primet e sigurimit, që paguhen, janë shpenzime të zbritshme fiskale për efekt llogaritje të tatim fitimit. Sigurimi “Jeta me Mbijetesë” mund të quhet padyshim plani më i mirë i mbrojtjes financiare të punonjësve, duke qenë si një ombrellë që e mbron punonjësin nga një sërë rreziqesh dhe ofron përfitime të shumëfishta, qoftë kur ky produkt blihet në bashkëpunim me punëdhënësin, po ashtu edhe kur blihet nga vetë punonjësi. Ky sigurim është një sigurim jete me elementë kursimi dhe investimi. Në këtë produkt, kontraktuesi (punëdhënësi apo punonjësi i siguruar) paguan një prim vjetor ose me këste 6-mujore për një periudhë të caktuar, minimalisht 10 vjet deri në 25 vjet. Ky lloj sigurimi ofron këto përfitime:

  • Nëse personi i siguruar humb jetën gjatë kohës së sigurimit, përfituesi (të cilin e përcakton i siguruari) merr të gjithë shumën e siguruar të përcaktuar në policë, ndryshe nga Pensioni Privat që është i fokusuar vetëm në akumulimin e parave për pensionin tuaj dhe ofron përfitim vetëm për masën e kursimeve të akumuluara.
  • Nëse personi i siguruar mbijeton deri në maturimin e policës, përsëri do të merret e gjithë Shuma e Siguruar, e cila mund të përdoret për qëllime të ndryshme, përfshirë investime të tjera ose shpenzime personale, si blerja e një shtëpie, arsimimi i fëmijëve etj., por duke qenë një periudhë afatgjatë deri në maturim, ky sigurim mund të shihet edhe si një formë investimi deri në periudhën e pensionit.
  • Përveç sigurimit të jetës dhe mbijetesës, policës mund t’i bashkëlidhen dhe sigurimet shtesë për mbrojtje nga aksidentet personale dhe rreziku i shfaqjes së sëmundjeve të rënda.

Shuma e Sigurimit që përfitohet në rast vdekje/mbijetese dhe primet janë të paracaktuara dhe të pandryshueshme. Sigurimi i “Jetës me Mbijetesë” është unik për nga natyra e tij, duke qenë e vetmja formë investimi afatgjatë (deri në 25 vjet) ku riskun e investimit e mban shoqëria e sigurimit dhe jo i siguruari.

Sigurimi “Jeta me Mbijetesë” jo vetëm që siguron të ardhmen tuaj të paparashikuar dhe të pashmangshme, por edhe qetëson gjendjen tuaj shpirtërore, duke ditur se ka kthime të garantuara në dispozicionin tuaj. Në këtë mënyrë, ju mund të planifikoni me shumë kujdes dhe të njihni saktësisht shumën që do të merrni. Ndryshe ndodh me pensionin vullnetar, i cili ka një rezultat të ndryshëm në varësi të performancës së investimeve dhe zhvillimeve tregtare, ndaj është më i paqartë në aspektin financiar. Planet e Sigurimit të “Jetës me Mbijetesë” janë të dobishme pasi ky është një sigurim afatgjatë, risku i të cilit në lidhje me investimin është tejet i ulët. Siguria afatgjatë e kapitalit dhe garancia e kthimit e bëjnë këtë Sigurim Jete një nga opsionet më të mira të kursimit për qëllimet kryesore financiare afatgjata siç është periudha e pensionit. Avantazh kryesor i të qenit i siguruar me “Jetë me Mbijetesë” është se Ju përfitoni mbulimin e Jetës së bashku me një mundësi për të ndërtuar një të ardhme të sigurt financiare.

Në SiCRED, ne jemi të angazhuar për të ofruar zgjidhje financiare për klientët tanë dhe t’i ndihmojmë ata të përmbushin objektivat e tyre financiare. Ndaj e rekomandojmë Sigurimin e “Jetës me Mbijetesë”, i cili ofron:

  • Skemë afatgjatë kursimi. Kontrata e Sigurimit “Jeta me Mbijetesë” ka kohëzgjatje nga 10 deri në 25 vjet. Periudha e sigurimit përzgjidhet nga vetë individi, varësisht nga objektivi financiar që ai ka. Një individ mund të ketë më shumë se një kontratë, me shuma e periudha të ndryshme, në varësi të qëllimit të tij.
  • Mundësi për financimin e të ardhurave në pension. Nëse qëllimi juaj është të rrisni të ardhurat që do të keni në pension, e njëkohësisht të mbroni financiarisht familjen tuaj gjatë kohës që siguroni të ardhura nga punësimi, një kontratë afatgjatë e “Jetës me Mbijetesë” e plotëson më së miri këtë objektiv.
  • Një fond i sigurt! Shumë e garantuar në rast mbijetese apo humbje jete.
  • Prime të garantuara. Çmimi, që paguhet për këtë sigurim, nuk ndryshon përgjatë gjithë kohëzgjatjes së sigurimit, pavarësisht se si mund të luhatet tregu i investimeve apo normave të interesit.
  • Skemë kursimi afatgjatë, që ju ndihmon të kurseni rregullisht. Pagesat mund të bëhen çdo 6 muaj ose çdo vit.
  • Skemë sigurimi për mbrojtjen e familjes suaj në rast ndarje të parakohshme nga jeta, apo ndodhjes së aksidenteve apo shfaqjes së sëmundjeve të rënda.
  • Pjesëmarrje në fitim. Me anë të kësaj kontrate sigurimi, shoqëria e sigurimit i njeh të drejtën të siguruarit të marrë pjesë në fitimin e realizuar nga shoqëria për këto kontrata sigurimi. Ky përfitim i shtohet shumës së sigurimit të garantuar.

E përmbledhur sa thamë më sipër, a duhet individët të investojnë vetëm në një kontratë Sigurimi “Jetë me Mbijetesë”, duke hequr dorë nga format e tjera të investimit afatgjatë? Përgjigja është: Jo!

Individë të ndryshëm kanë rrethana të ndryshme financiare. Ndaj këshilla jonë është që të uleni me një profesionist në fushën financiare, i cili njeh mundësitë e ndryshme të investimit që ofrohen në vendin tonë, të këshilloheni me të për rrethanat tuaja financiare e të mund të blini ato produkte financiare që më së miri përmbushin objektivat tuaja afatgjata. Në SiCRED jemi të lumtur t’ju ofrojmë të gjithë ndihmën tonë, që të kuptoni më mirë produktet financiare dhe të bëni zgjidhjet e duhura për ju dhe familjen tuaj.

Mos ngurroni të na kontaktoni në cel: +355 692084026 | email: contact@sicred.com.al

Related Posts

Dhurata e duhur për stafin tuaj

Dhurata e duhur për stafin tuaj

Dhurata e duhur për stafin tuajPunoi: Greta SejdinajPublikuar më: 03.01.2024   Gjëja e parë që duhet të bëni këtë fillimvit? Të surprizoni...